Politika e cookies · Vendimin mund ta ndryshoni në çdo kohë në faqen „Cookies“.

Qasshmëria

Madhësia e tekstit
Lexim me zë

Shfletuesi e lexon tekstin me zërin që ka për këtë gjuhë.

Deklarata e qasshmërisë

Gjuhë shqipe dhe letërsi

Gjuhë shqipe dhe letërsi – matura shtetërore profesionale, qershor 2026

Testi i plotë i maturës shtetërore profesionale, qershor 2026: letërsi, gjuhë, lexim dhe shkrim. Detyrat me zgjedhje kontrollohen automatikisht, te pyetjet e hapura shfaqet përgjigjja nga çelësi zyrtar, ndërsa esenë e shkruani me numërues fjalësh.

Lexoni tekstet dhe përgjigjuni. Te pyetjet e hapura, pas kontrollit krahasojeni përgjigjen me çelësin dhe shënoni nëse është e saktë.

Matura shtetërore profesionale, qershor 2026 (Qendra Shtetërore e Provimeve). Përgjigjet sipas çelësit zyrtar.

Testi origjinal (PDF) · Çelësi (PDF)

Letërsi

1. Lexoje me vëmendje fragmentin e veprës “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti dhe përgjigju pyetjeve të dhëna.

- Po atë natë që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë të rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke ia dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit 1468 pas Krishtit.

Skënderbeu, pra, thuhet se u nda këso jete në moshën 68 vjeç, në vitin e 24 të mbretërimit të tij. Me anë tjetër, Skënderbeu e filloi mbretërimin më 28 nëntor të vitit 1443. Kur e dëgjoi që po e qanin të vdekur, Lekë Dukagjini, princ epiriot, të cilin e kemi përmendur më lart, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e me zë të lartë tha, duke shkulur mjekrën e flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë arbërorë. Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u përmbysën fronet e pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona“. Gjithashtu, gjatë kohës që ai po vdiste, kali, të cilit i hipte kur kishte për t’u përleshur, u bë shumë i egër, i tërbuar e i pafrenueshëm, saqë s’donte të mbante më asnjeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi.

Skënderbeu u varros në qytetin e Lisosit, në kishën e madhe të Shën Kollit. Ceremonia e varrimit të tij, sipas zakonit të të parëve, u bë me një madhështi të paparë; trupi i tij u përcoll me vaj nga të gjithë ushtarët dhe me pikëllim sipas zakonit të vendit nga të gjithë princërit dhe kapedanët. Dhe eshtrat e tij, që u vunë në atë vend, pushuan në paqe, gjersa Mehmeti, prijësi i turqve, erdhi në Arbëri dhe në Epir për të sulmuar qytetin e Shkodrës. Për këtë sulm apo fushatë ne kemi shkruar më gjerë dhe më gjatë në një libërzë që e kemi botuar. Gjatë kësaj kohe, turqit dhe barbarët, duke u bërë zotër të qytetit të Lisosit, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Dhe atë që, kur ishte gjallë, ia kishin frikën fort dhe vetëm me t’i dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani s’di a sepse ashtu deshi perëndia, dëshironin me të madhe ta shikonin të vdekur dhe pothuajse të tretur, që të mos them se deshën ta nderonin e ta adhuronin. Dhe me të vërtetë, te varri dhe eshtrat e tij u mblodhën që të gjithë e kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishte fatbardhë dhe shumë i lumtur ai që do të mund t’ia shikonte dhe t’ia prekte, kurse më i lumtur ai që do të siguronte për vete një copë fare të vogël prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar, dhe e varnin në qafë si ndonjë gjë hyjnore, të shenjtë e vendimtare për fatin e tyre, dhe e nderonin me respekt shumë të madh e me frikë perëndie në zemër, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërrmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pati nga perënditë e pavdekshme dhe gëzoi, sa qe gjallë, vetë Skënderbeu, i vetmi ndër gjithë njerëzit, me sa mbahet mend.

“Historia e Skënderbeut” - Marin Barleti, libri i trembëdhjetë.

1.1. Cili moment i jetës së Skënderbeut është paraqitur në fragment? (1 pikë)

1.2. Vajtimi i Lekë Dukagjinit shpreh: (1 pikë)

1.3. Çfarë bënë turqit me eshtrat e Skënderbeut pasi pushtuan Lisosin? (1 pikë)

1.4. Për ta shkruar veprën “Historia e Skënderbeut” Marin Barleti është mbështetur në: (1 pikë)

1.5. Për çfarë qëllimi Marin Barleti e shkroi veprën “Historia e Skënderbeut”? (1 pikë)

1.6. Në historinë e letërsisë shqiptare Marin Barleti konsiderohet si përfaqësues i: (1 pikë)

2. Lexoje me vëmendje fragmentin nga skica “Legjenda e misrit” e Migjenit dhe përgjigju pyetjeve të dhëna.

Misër! Misër!

Në shekullin e njizetë s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri. Bjeshkët tona, që dikur qenë etërit e apoteozave perëndish, sot janë etërit e apoteozës së Misrit.

Një kokërr misër asht një kokërr dhimbje, kur ka shumë u e aspak misër. Fjala misër përmban në vete legjenda të linduna nga dëshira për jetë. Deshira për jetë asht e madhe dhe e mahnitshme, sa edhe malet tona qi hapin gjitë për me varrosë njerzit e unshëm. E në naltesinë e maleve vigane, legjendë asht dhe lindja, legjendë asht dhe jeta, legjendë asht dhe vdekja. Dhe kjo legjendë e idhtë, dhe plot vuejtje historike, në shekullin e njëzetë asht e thekshme, zemërbrese dhe të ban të qajsh.

* * * Misër! Misër!

Lajmi se do të shpërndahet misri doli nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt e thella deri te gjymtyrët e mpita të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s’kanë me çka ta mbajnë frymën.

Si thneglat që mblidhen rreth një kokrrës misri, qashtu në një qendër nënprefekture janë mbledhun malësorët rreth depos së misrit. Katundeve që përfshin nënprefektura do t’u ndahet misri. Malet e egra me mjegull e borë, qiella që tue derdhë shi, të lag deri në palcë, kishin dashtë t’ia presin rrugën malsorit. Por kush ia ndalon atij hovin, kur shkon me marrë misër?! Misër për fmi të nximë nga mjerimi, të cilët kur duert shtrijnë, u përngjajnë lugetënve të vocërr. Dhe kta fëmi janë dëshmorët e vërtetë të tragjedisë njerzore. Dëshmorë tragjikë në këtë skaj të dheut, të cilët njerzit e huej i kujtojnë në legjenda historike. Legjenda historike me nji lumni legjendare se lumnia e vërtetë asht larg, tepër larg nga këto foletë e shqipeve.

Nëpër luginat e maleve përshkohet malsori vetëm me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat, për me arrijtë në qendrën e nënprefekturës me marrë misër. Krahnori i tij asht një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë. E përpara depos së misrit bjerrë cilsinë karakteristike të vetën, dhe bahet frigacak. Bahet servil, frigacak, pse, – mendoi ai – njashtu e don ligji, nëpunësi; përndryshe s’ka misër. “Si urdhnon, zotnì” përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me tu marrun zani, me gjeste majmuni, vetëm e vetëm mos me zgjue mninë e engjëjve që ndajnë misër.

Dhe kur e marrin misrin, nisen njani mbas tjetrit gjatë udhës së ngushtë të malit dhe të jetës. Ndodhë që njenit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit, shoku mbrapa, pa i pa, i shkel, i treti shok, as një as dy ia hjedh mallkimin e pamëshirshëm: “Mos e shkel he, të shitoftë Zana”! Se shekulli i njëzetë është shekulli i apoteozës së misrit nder foletë e Shqypeve.

“Vargjet e lira” – Migjeni, f. 103-104, Vartra, Skup, 1998.

2.1. Çfarë simbolizon misri në këtë fragment? (1 pikë)

2.2. Tema që trajtohet në këtë fragment është: (1 pikë)

2.3. Si portretizohet karakteri i malësorit para depos së misrit? (1 pikë)

2.4. Çfarë e detyron malësorin të nënshtrohet përpara autoritetit që shpërndan misër? (1 pikë)

2.5. Çfarë përfaqëson sjellja e nëpunësve që ndajnë misër? (1 pikë)

2.6. Rruga e ngushtë e malit ku nisen malësorët pas marrjes së misrit simbolizon: (1 pikë)

2.7. “Legjenda e misrit“ është pjesë e vëllimit që mban titullin? (1 pikë)

2.8. Migjeni në historinë e letërsisë shqiptare është i njohur si përfaqësues i: (1 pikë)

3. Lexoje me vëmendje fragmentin nga vepra “Eugjen Onjegini” e Aleksandër Pushkinit dhe përgjigju pyetjeve të dhëna.

Letër e Tatjanës Onjeginit Po marr guximin që t’ju shkruaj… Ç’do deshit më, veç shpirtit tim? E di, se është e drejta juaj Të më dënoni me përçmim. Po ju që e shihni si po vuaj Me pak mëshirë, sado pak, Nuk do më zmprapsni zemërake! Më parë desha të rri qetë Për turpin tim, besomëni, Ju s’do të dinit kurrsesi, po të mund të shpresonja vetë Që, kur e kur me plot hare të kem t’ju shoh këtu tek ne Që t’ju dëgjoj si kuvendoni, T’ju them një fjalë dhe pastaj Në zemër veç një mall të mbaj, Veç gjer sa rrish të më takoni… Po thonë se ju s’rrini dot Në fshat të heshtur ju mërziteni E ne… ne rrojmë me të kotë Plot gas se vini e na aviti. Pse arthtë vetë ashtu në fshat, Na gjettë tek ky vend i qetë? T’ju njoh s’do kisha kurrë fat, S’do kisha turbullimn’ e shkretë. Dhe afsh’ i shpirtit tim në jetë Duke u qetuar (kushedi!). Një mikut mund t’i bëhesha mike Dhe shoqe e jetës e besnike Dhe zonjë e ndershme për shtëpi. Një tjetër… jo askujt në jetë Nuk do ti falnja dashuri! E ka vendosur Qielli vetë, jam e jotja në përjetësi; Gjithë jeta ime më pat qenë Një peng se ty do të takoj Se Zoti jetën ma ka dhënë Që gjer në varr të adhuroj… Përhera të kam ëndërruar të ndjenja thellë thellë në gjit me atë vështrim që më trondit Në zemër shpesh ta kam dëgjuar ty zërin… jo s’ish ëndërrim! Dhe sapo hyre, të kuptova Më preke fort u përvëlova Thashë ësht ai thesari im! S’është e vërtetë? Po, të kam ndjerë Më flisnje kur me dhemshuri ndihmoja njerëzit e mjerë, Më sillte shpesh lutja qetësi, Edhe tashi, ndaj kësaj grime A nuk je ti, o ëndrra ime, Që n’errësirë po ndriçon E vjen më prek me nur e hije? S’je ti që plot prej dashurije Shpres’ edhe gas më murmuron? Kush je ti? Ëngjëlli me shpresë, apo një lajkatar i pabesë? Ma hiq tashi këtë dyshim Kjo mbase nj’ëndërr mund të jetë Për zemrën time një zhgënjim E ndryshe krejt fat’ i vërtetë… Po dhe kështu jet dhe fat veç ty që sot t’i kam besuar Më qan me lot shpirt i ngratë E mprojtje vij për të kërkuar. Mendo: jam vetë s’kam ku flas askush nuk mund të më kuptojë Mendja fillon të më lëshojë Në heshtje duhet të humbas. Të pres ti eja siç ma k’ënda Dhe shpresat ngjallm’i përsëri, A ma prish ëndrrën që tashi Me të qortuara të rënda! Mbarova! S’mund ta rilexoj… Po vdes nga frik’ turpëruar Po nderit tuaj i besoj Me plot guxim duke shpresuar.

“Eugjen Onjegini” - A. S. Pushkin, f. 66, 67, 68; Tiranë, Argeta, 2001.

3.1. Çfarë ndjen Tatjana ndaj Onjeginit, sipas këtij fragmenti? (1 pikë)

3.2. Pse Tatjana e quan veten të guximshme që po e shkruan këtë letër? (1 pikë)

3.3. Cila është arsyeja e frikës së Tatjanës, në letrën me të cilën i drejtohet Onjeginit? (1 pikë)

3.4. Si e përfytyronte Tatjana jetën e saj nëse nuk do ta kishte njohur Onjeginin? (1 pikë)

3.5. Çfarë dyshimesh ka Tatjana në fund të letrës, në pjesën e parafundit të fragmentit? (1 pikë)

3.6. Çfarë trashëgoi Onjegini nga xhaxhai pas vdekjes së tij? (1 pikë)

3.7. Çfarë lloj vepre është “Eugjen Onjegini”? (1 pikë)

3.8. Cilit drejtim letrar i përket vepra “Eugjen Onjegin”? (1 pikë)

Analizë letrare dhe gjuhë

4. Cili është qëllimi i komedisë? (1 pikë)

5. Cila është karakteristika themelore e tragjedisë? (1 pikë)

6. Rrëfimi epik trajton këto përmbajtje: (1 pikë)

7. Si janë përcjellë krijimet folklorike? (1 pikë)

8. Cilat janë karakteristikat e poezisë lirike? (1 pikë)

9. Cila figurë stilistike është përdoret në varguan: “Trim si luan në fushën e betejës”? (1 pikë)

10. Dega e gjuhësisë që merret me studimin e emrave të njerëzve, të patronimeve (1 pikë)

(mbiemrave) dhe të nofkave quhet:

11. Te fjalët: fshatar, udhëtar, dasmor, punëtor theksi bie: (1 pikë)

12. Cili nga emrat e dhënë përdoret vetëm në numrin njëjës? (1 pikë)

13. Cili nga shembujt është shkruar drejt? (1 pikë)

14. Në cilën fjali është përdorur shprehje frazeologjike? (1 pikë)

15. Në fjalinë: Profesor Eqrem Çabej ka ndriçuar shumë çështje nga etimologjia e gjuhës shqipe. Pjesa e nënvizuar luan rolin e: (1 pikë)

16. Në cilën nga fjalitë e dhëna është përdorur rrethanori i qëllimit? (1 pikë)

17. Cila fjalë është formuar me kompozim? (1 pikë)

18. Shkenca e cila merret me studimin e përgjithshëm të gjuhës quhet: (1 pikë)

19. Dukuria e ndërrimit të bashkëtingëllores [n] në [r] në pozicion ndërzanor, si në shembujt (zani - zëri, syni - syri, peni - peri) njihet si: (1 pikë)

20. Lakoje përemrin dëftor këta në rasën dhanore. (1 pikë)

21. Fjalën e huaj adaptoj zëvendësoje me fjalën shqipe (1 pikë)

22. Periudha: Pishtari i historisë tregon se drejtësia shkon paralel me paqen., është fjali e përbërë me pjesë të nënrenditur (1 pikë)

23. Në cilën diatezë është përdorur folja në fjalinë: Rrobat lahen nga nëna? (1 pikë)

24. Si quhet kallëzuesi që është përdorur në fjalinë: Përsëritja është nëna e mësimit? (1 pikë)

25. Foljen vrapoj shkruaje në mënyrën lidhore, në kohën e pakryer, në vetën e dytë shumës, në diatezën veprore (1 pikë)

26. Në fjalinë: Jam tue punue tokën., folja tue punue është në dialektin gegë, shkruaje në gjuhën standarde. (1 pikë)

27. Në fjalinë: Ti s’ke dhënë, s’ke për të marrë., pjesët e nënvizuara në leksikologji njihen si: (1 pikë)

28. Shkruaj temën e fjalës qytetari (1 pikë)

29. Shkruaje në numrin shumës në trajtën e shquar togfjalëshin djalë i mirë. (1 pikë)

30. Shkruaje me fjalë numri 1900. (1 pikë)

Të lexuarit

31. Lexoje me kujdes tekstin dhe përgjigju pyetjeve.

SI NDIKON TE NE LEXIMI I PËRDITSHËM? Imagjinoni se qëndroni nën një dritare të lartë dhe nuk mund të shihni çfarë ka pas saj, sepse pamja ju është fshehur nga muri. Filloni të lexoni dhe vendosni një e nga një librat poshtë dritares. Ata që nuk lexojnë kurrë nuk do të shohin se çfarë ka në anën tjetër, ndërsa ata që lexojnë do të ngjiten mbi grumbullin e librave të lexuar dhe jo vetëm që do ta shohin pamjen e mrekullueshme, por edhe do të kalojnë në anën tjetër.

Ky është edhe qëllimi i letërsisë – të zgjerojë horizonte. Prandaj ngjituni libër pas libri, punoni vazhdimisht për këtë dhe ndërkohë hidhni një sy përfitimeve pozitive të leximit të përditshëm! Cilat janë përfitimet psikologjike të leximit?

Gjimnastikë për mendjen

Ashtu siç është aktiviteti fizik për trupin, ashtu është edhe leximi për mendjen. Fiksion apo jofiksion, metafizik apo motivues nuk ka rëndësi. Lexoni dhe stërvitni mendjen të mendojë dhe të zhvillohet! Ashtu siç është i nevojshëm ushtrimi i rregullt për trupin, e njëjta gjë vlen edhe për mendjen.

Rritet përqendrimi

Gjatë leximit, ju udhëtoni në një vend tjetër. Sa më shumë që hyni në histori, aq më shumë përqendroheni te tingujt dhe pamjet në përshkrime, te pamja e personazheve dhe skenat nga librat fillojnë të luajnë në mendjen tuaj. Atëherë harroni gjithçka rreth jush. Në këtë mënyrë do të krijoni zakonin e përqendrimit të plotë në çdo punë që bëni.

Ulet stresi

Sipas një studimi të vitit 2009, vetëm gjashtë minuta lexim në ditë e ul stresin me 68 për qind. Të lexosh tridhjetë minuta është njësoj si të ushtrosh joga për tridhjetë minuta. Leximi është një mënyrë për t’u larguar nga shqetësimet ose, edhe më mirë, për t’i kapërcyer ato.

Përmirësohet fjalori

Kjo është më se e qartë! Duke lexuar, ne i thithim si sfungjerë të gjitha fjalët e bukura dhe të pazakonta nga librat dhe automatikisht fillojmë t’i vërejmë edhe rregullat drejtshkrimore. Edhe pa e kuptuar, do të filloni ta zbatoni atë që keni mësuar.

Zgjatet jeta

Një studim i kryer në Universitetin Yale ka treguar se njerëzit që lexojnë të paktën 30 minuta në ditë jetojnë më gjatë se ata që nuk lexojnë. Jetëgjatësinë më të madhe e kanë ata që lexojnë letërsi fantastike, ndërsa më të shkurtër ata që lexojnë revista dhe gazeta.

Bëheni më empatik

A e dini se në Harvard është vërtetuar se ata që lexojnë vepra letrare i identifikojnë shumë më mirë emocionet e njerëzve që vëzhgojnë, të shprehura në fytyrë? Sa më shumë të jeni të përfshirë në letërsi, aq më mirë e njihni botën përreth dhe aq më lehtë i “lexoni” shprehjet e saj.

Relaksim dhe qetësi

Mënyra më e mirë për t’u relaksuar është përmes leximit. Librat me përmbajtje religjioze e ulin tensionin e gjakut, ndërsa librat vetëndihmës i qetësojnë njerëzit që vuajnë nga luhatjet e humorit.

Rritja e aftësive të të menduarit analitik

Imagjinoni se po lexoni një triler dhe po e zgjidhni vetë misterin. Në këtë mënyrë e stërvitni mendjen të punojë në mënyrë analitike dhe të pavarur. Aftësia për të hyrë në detaje do t’jua zgjerojë horizontet e të menduarit deduktiv. Nëse ende nuk keni lexuar asgjë sot, dita nuk ka përfunduar!

https://prikazni.mk/b/247/kako-ni-vlijae-sekojdnevnoto-chitanje

31.1. Qëllimi kryesor i letërsisë është: (1 pikë)

31.2. Në tekst leximi krahasohet me: (1 pikë)

31.3. Sa minuta lexim në ditë sipas një studimi e ul stresin? (1 pikë)

31.4. Cilët lloj lexuesish sipas tekstit kanë jetëgjatësi më të madhe? (1 pikë)

31.5. Çfarë ndodh me lexuesin kur ai thellohet në librat me përmbajtje religjioze? (1 pikë)

31.6. Cilin përfitim nga leximi njeriu e përdor në jetën e përditshme? (1 pikë)

31.7. Përmes çfarë librash, lexuesi rrit aftësitë e tij analitike? (1 pikë)

31.8. Studimi i kujt ka treguar se ata që lexojnë libra më mirë i identifikojnë emocionet e njerëzve? (1 pikë)

32. Lexoje me kujdes tekstin dhe përgjigju pyetjeve.

Kulla e Eiffelit

Kulla e Eiffelit (frëngjisht: La tour Eiffel) është një kullë prej çeliku që ndodhet në Champ de Mars në Paris. Ajo është bërë ikonë ndërkombëtare franceze dhe një nga strukturat më të njohura mbarëkombëtare. Kulla Eiffel, që është ndërtesa më e lartë në Paris dhe është monumenti me pagesë më i vizituar në botë. E emërtuar sipas inxhinierit dhe projektuesit Gustav Eiffel.

Kulla u ndërtua si hark hyrës për Exposition Universelle 1889. Edhe pse fillimisht u kritikua nga disa prej artistëve dhe intelektualëve kryesorë francezë për dizajnin e saj, që atëherë ajo është bërë një ikonë kulturore globale e Francës dhe një nga strukturat më të njohura në botë. Kulla Eifel është monumenti më i vizituar me një tarifë hyrje në botë: 6.91 milionë njerëz u ngjitën në të në 2015. Ajo u caktua një monument historik në vitin 1964 dhe u emërua pjesë e një vendi të trashëgimisë botërore të UNESCO-s ("Paris, Bankat e Seine") në vitin 1991.

Kulla është 330 metra e lartë afërsisht e njëjta lartësi sa një ndërtesë 81-katëshe. Baza e saj është katrore, me përmasa125 metra në secilën anë. Gjatë ndërtimit të saj, Kulla Eifel e kaloi Monumentin e Uashingtonit për t'u bërë struktura më e lartë e bërë nga njeriu në botë, një titull që e mbajti për 41 vjet derisa Chrysler Building në New York City u përfundua në vitin 1930. Ishte struktura e parë në bota për të kapërcyer lartësinë 200 dhe 300 metra. Për shkak të shtimit të një antene transmetimi në krye të kullës në vitin 1957, ajo tani është më e lartë se ndërtesa Chrysler me 5.2 metra. Duke përjashtuar transmetuesit, Kulla Eiffel është struktura e dytë më e lartë në Francë pas Viaduc de Millau.

Kulla ka tre nivele për vizitorët, me restorante në nivelin e parë dhe të dytë. Platforma e sipërme e nivelit të lartë është 276 m mbi tokë - kuverta më e lartë e vëzhgimit e aksesueshme për publikun në Bashkimin Evropian. Biletat mund të blihen për t'u ngjitur me shkallë ose për t'u ngritur në nivelin e parë dhe të dytë. Ngjitja nga niveli i tokës në nivelin e parë është mbi 300 shkallë, ashtu siç është ngjitja nga niveli i parë në të dytin, duke e bërë të gjithë ngjitjen një ngjitje prej 600 hapash. Edhe pse ka një shkallë në nivelin e lartë, zakonisht është e arritshme vetëm me ashensor.

Projekti i ndërtimit të një kullë 300 metra, lindi me rastin e parapërgatitjeve të "Exposition universelle". Ka afërsisht 2 500 000 ribatina të vendosura në kullë. U deshën pese muaj për të ndërtuar bazamentin dhe 21 muaj për të ndërtuar konstruksionin metalik të kullës, që përbënte një shpejtësi rekord ndërtimi dhe kjo vetëm me 121 punonjës në kullë dhe 100 të tjerë që punonin në parafabrikimin e pjesëve metalike në tokë. Këmbët e kullës janë të vendosura në katër pikat e horizontit L-P-V-J me një distancë 125 metra nga njëra-tjetra. Gjatësia e kullës në 1889 ishte 321,27 metra; sot me gjithë antenën në maje është 324 metra. Kulla peshon 10. 000 ton, dhe në kohë me erë zhvendoset në majë afërsisht 6-7 cm. Nëse do të flisnim për numrin e vizitoreve, Kulla Eiffel është pa dyshim monumenti më i vizituar në botë.

https://sq.wikipedia.org/wiki/Kulla_Eiffel

32.1. Ku ndodhet Kulla e Eiffelit? (1 pikë)

32.2. Si quhet inxhinieri i këtij projekti? (1 pikë)

32.3. Si u prit ndërtimi i Kullës së Eiffelit nga artistët dhe intelektualët francez? (1 pikë)

32.4. Sa njerëz e vizituan Kullën e Eiffelit në vitin 2015? (1 pikë)

32.5. Kur u shpall monument historik Kulla e Eiffelit? (1 pikë)

32.6. Kur u përfshi Kulla e Eiffelit në trashëgiminë e UNESCO-s? (1 pikë)

32.7. Çfarë ndikimi pati shtimi i antenës së transmetimit në lartësinë e Kullës së Eiffelit? (1 pikë)

32.8. Sa nivele ka Kulla e Eiffelit për vizitorët? (1 pikë)

32.9. Si ndikojnë kushtet atmosferike në strukturën e Kullës së Eiffelit? (1 pikë)

32.10. Në çfarë distancash mes veti janë të vendosura këmbët e Kullës? (1 pikë)

33. Zgjidh një temë dhe: (13 pikë)

Shkruaj një tekst nga 260 deri në 460 fjalë. Lexoje temën dhe mendo mirë se çfarë duhet të përmbajë teksti. Respektoji rregullat lidhur me kompozicionin e tekstit (pjesa hyrëse, pjesa kryesore dhe përfundimi). Respektoji rregullat e gjuhës standarde.

Mendimet shprehi në mënyrë të qartë dhe të lidhur duke përdorur fakte dhe argumente. Përdor leksikun dhe stilin e duhur në përputhje me llojin e tekstit që shkruan. Mos shkruaj fraza të përgjithshme. Mos përdor tekste të gatshme të fjalëpërfjalshme dhe pa distancë kritike nga burime të ndryshme (tekste mësimore, libra profesional, ueb-faqe etj.). Kujdesu për rregullimin grafik të tekstit, duhet të ketë tri tërësi qartësisht të ndara (pjesa hyrëse, pjesa kryesore dhe përfundimi) dhe sipas mundësisë paragrafë në pjesën kryesore.

Shkruaj me alfabetin e shqipes, duke përdorur shkronja dore (të shkrimit)! Në të kundërtën ulen 5 pikë nga pikët e fituara në ese.

Tema 1: Roli i të rinjve në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të përgjegjshme

Mendo se çfarë do të kishe shkruar në këtë temë, shpjego rolin e të rinjve në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe zhvillimin e përgjegjësisë qytetare.

Merr qëndrim kritik, mund të jesh dakord ose ta mohosh titullin e dhënë se të rinjtë kanë një rol të rëndësishëm në ndryshimet shoqërore dhe arsyeto qëndrimin tënd me argumente dhe logjikë.

Jep të paktën dy argumente të mbështetura nga fakte dhe shembuj konkretë, me të cilët do të theksosh rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në shoqëri dhe kontributin e tyre në proceset demokratike.

Shprehe qëndrimin tënd mbi ndikimin e të rinjve si anëtarë kritikë dhe aktivë të shoqërisë (mendim i argumentuar, përgjegjësi qytetare, respekt për diversitetin, pjesëmarrje aktive në komunitet) dhe jep shembuj të përshtatshëm.

Përfundo duke sublimuar qëndrimin tënd për rolin e të rinjve në zhvillimin e shoqërisë dhe përgjegjësinë e tyre si qytetarë.

Përdore gjuhën standarde shqipe dhe shkronjat e dorës dhe kushtoji vëmendje drejtshkrimit, fjalorit, sintaksës dhe rregullave të pikësimit.

Tema 2: Natyra si burim i shëndetit mendor dhe fizik

Mendo se çfarë do të kishe shkruar në këtë temë, shpjego pse natyra është një burim i shëndetit mendor dhe psikologjik te njerëzit.

Merr qëndrim kritik, mund të pajtohesh ose të mohosh titullin e dhënë, dhe përdor mendime të qarta dhe të qëndrueshme për të shprehur qëndrimin tënd mbi temën e dhënë.

Jep të paktën dy argumente të mbështetura nga fakte dhe shembuj specifikë për qëndrimin tënd për temën, me çka do të shpjegosh se si kalimi i kohës në natyrë dhe shëtitjet ndikojnë në shëndetin mendor dhe fizik.

Shprehe mendimin tënd nëse shëtitjet në natyrë kanë një ndikim pozitiv apo negativ në ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik të njerëzve dhe jep shembuj të përshtatshëm për të mbështetur mendimin tënd.

Përfundo duke sublimuar qëndrimin tënd lidhur me këtë temë, me çka do ta theksosh rëndësinë e natyrës si një burim natyror që ofron shumë përparësi për ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik të njerëzve.

Përdore gjuhën standarde shqipe dhe shkronjat e dorës dhe kushtoji vëmendje drejtshkrimit, fjalorit, sintaksës dhe rregullave të pikësimit.

Fjalë: 0 · Nevojiten: 260–460 fjalë